Ndërtesa e kuvendit të shqipërisë
Ndërtesa e kuvendit të shqipërisë
Ndërtesa e Kuvendit të Shqipërisë ndodhet e pozicionuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ky objekt ka një arkitekturë të përafërt me objektet e ministrive të qendrës dhe vjen si zgjatim harmonik i tyre.
Planimetria ka formën e shkronjës “π”, me gjatësi 80 metra dhe me dy krahë me gjatësi 53 metra. Trajtimi arkitektonik i jep një madhështi objektit, sidomos prezenca e rifiniturave të korpusit të hyrjes dhe fasadave ballore. Në katin përdhe theksohet shtrirja horizontale, nëpërmjet suvasë të punuar me breza të barabartë në formë të harkuar. Ajo ndërpritet nga dritaret me madhësi dhe distancë të barabartë, gjatë gjithë perimetrit të godinës. Hyrja është konceptuar me 3 harkada që theksohen nga trajtimi i veçantë i suvasë.
Tre katet e tjera kanë karakteristikë prezencën e pilastrave në lartësinë e tre kateve. Ato janë trajtuar me veshje travertine që krijojnë kontrast me suvane e objektit.
Pilastrat e pjesës kryesore janë më të theksuara, zhvilluar me elementë të tjerë arkitektonikë si kapitele të dekoruara. Në hapësirën midis tyre zhvillohen dritare në forma të ndryshme dhe ballkone, ndërsa në pjesën e sipërme të objektit janë vendosur rifinitura horizontale të punuara. Gjerësia e bulevardit dhe trotuari i pastër (i pa trajtuar me pemë), lejojnë shikimin e plotë të fasadës kryesore përgjatë bulevadit “Dëshmorët e Kombit”.